A ke menduar ndonjëherë - Lajmi Urgjent

Ky është lajmi më i rëndësishëm dhe më urgjent që duhet të kuptosh. Ungjilli i Jezu Krishtit. Krishterimi i vertete biblik.

Wednesday, February 28, 2018

A ke menduar ndonjëherë

Kush është Perëndia në të vërtetë?

Cila është gjëja e parë që të vjen ndër mend kur mendon për Zotin? Një fuqi e mbinatyrshme që krijoi të gjitha gjërat? Një krijues, i cili pasi krijoi gjithçka, na la në fatin tonë? Një babagjysh i Vitit të Ri, i cili siguron për të gjitha nevojat tona? Kush është Perëndia në të vërtetë?

Ai është Perëndia që flet. Ai na flet përmes universit që Vetë e krijoi. Bibla shpall se “qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë.”1 Thuhet gjithashtu se “cilësitë e Tij të padukshme, fuqia e Tij e përjetshme dhe hyjnia e Tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të Tij që nga krijimi i botës, duken qartë.”2 Ai ka folur gjithashtu përmes profetëve dhe së fundmi na ka folur përmes Birit të Tij, Jezu Krisht. “Kush më ka parë mua, ka parë Atin”,3 - tha Jezusi. Po ashtu, Ai ka folur edhe përmes Fjalës së Tij apo Biblës. Bibla është Fjala e pagabueshme, e frymëzuar prej Tij dhe na tregon se si është Perëndia në të vërtetë.

Ai është Krijuesi i të gjitha gjërave. Ai i ka vendosur yjet në vendet e tyre, planetet në orbitat e tyre, ka krijuar botën dhe gjithçka që është në të. Kur e përfundoi krijimin e Tij e pa se gjithçka ishte shumë e mirë. Kjo do të thotë se jeta nuk është rastësi dhe që Zoti ka një plan për ne. Ne në fakt jemi krijuar për të pasur lavdi dhe nder, si dhe për të mbretëruar mbi tokë bashkë me Perëndinë.
Ai është Mbret mbi të gjitha gjërat. Ai mbretëron mbi qiell dhe tokë dhe mbi gjithçka në to. Perëndia nuk e ka braktisur botën por është aktiv në të ditë për ditë. Ai siguron për të gjithë njerëzit dhe i mban të gjitha gjërat në duart e Tij. Është përherë në drejtim të ngjarjeve, me qëllim që të përmbushet plani i Tij. Ai është, pra, një Perëndi i mirë, i cili meriton mirënjohjen dhe dashurinë tonë. Ai meriton, si një mbret i mirë, që të jetë mbreti i jetës sonë. Ai gëzon të drejtën që të mbretërojë mbi ne dhe të na thotë se si duhet të jetojmë.
 Ai është tërësisht i shenjtë. Bibla shpall se “Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire.”4 Perëndia është kaq i shenjtë sa që asnjë gjë e papastër nuk mund të hyjë në praninë e Tij. Madje thuhet për Zotin: “Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë.”5 Zoti e urren mëkatin me një urrejtje tepër të shenjtë. Ai “është një zjarr gllabërues,”6 i cili nuk mund ta durojë mëkatin. Ne nuk mund t’i afrohemi Perëndisë me mëkatin në jetët tona. 
Ai është plotësisht i drejtë. Ai nuk e “lë të pandëshkuar fajtorin.”7 Ai është i mëshirshëm, por nuk mund ta lërë pa e gjykuar mëkatin. Nëse nuk do ta dënonte mëkatin Ai nuk do të ishte më Perëndia. Edhe pse shfaq zemërim ndaj mëkateve të njerëzve sot, do të vijë një ditë kur Ai do t’i gjykojë përfundimisht mëkatarët. Ai do t’i kërkojë llogari secilit prej nesh për çfarë kemi bërë në jetë. A është e mundur që Perëndia të jetë i drejtë por edhe i mëshirshëm ndaj nesh? Jezusi i ka dhënë zgjidhje­ këtij problemi, por para se ta shikojmë këtë lajm të mirë duhet të dëgjojmë një lajm të keq.

 
Cili është problemi real i botës?

Cila është arsyeja që bota është e mbushur me dhunë, luftëra, padrejtësi dhe përçarje familjesh? Problemi ynë nuk është as politik, as ekonomik dhe as shoqëror, por është frymëror. Të gjitha këto gjëra vijnë­ si pasojë e mëkatit tonë.
“Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve”,8 - thuhet në Bibël. Gjykimi i Perëndisë për mëkatet tona nuk ka të bëjë me dërgimin e vetëtimave nga qielli për të na konsumuar, por me atë që Ai na lë që të vuajmë pasojat e mëkatit tonë. Ai na lë që të biem thellë e më thellë në mëkat duke vuajtur nga frytet e veprave tona.

Çfarë, pra, është mëkati dhe çfarë meritojmë ne për shkak të mëkatit­ tonë? Shumica e njerëzve mendojnë se mëkat janë vetëm vepra të tilla si vrasja, vjedhja apo korrupsioni dhe për pasojë nuk e shohin veten si mëkatarë. Është e vërtetë se të gjitha këto gjëra janë mëkate, por nuk janë mëkati. Ato nuk janë veçse simptomat e sëmundjes sonë, por jo vetë sëmundja. Problemi ynë nuk është vetëm që mëkatojmë, por edhe që jemi mëkatarë.

Mëkati është mohimi i mbretërimit të Perëndisë mbi jetën tënde. Është të jetuarit siç duam ne dhe jo siç do Perëndia. Mëkati është të mos i japim Perëndisë nderin, lavdinë, mirënjohjen dhe bindjen që Ai meriton. Është shkelja dhe thyerja e Ligjit të Tij. Nëse jemi fajtorë për shkeljen e një pjese të Ligjit të Zotit, jemi fajtorë për shkeljen e të gjithë Ligjit. Mëkati është edhe kur e dimë se çfarë është e drejtë për t’u bërë, por nuk e bëjmë. Mëkati është, pra, thyerja dhe shkelja e Ligjit të Zotit, mosbërja/moszbatimi e/i Ligjit të Zotit, si dhe një jetë e jetuar në pavarësi nga Zoti.

Kjo do të thotë se të gjithë ne jemi mëkatarë.
“Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”,9 - thuhet në Bibël. E kemi të vështirë ta pra­nojmë se jemi mëkatarë. Ne besojmë se në thelb çdo njeri është i mirë, kurse Bibla na tregon se jemi të zhytur në mëkat. Edhe pse disa janë më të mëkatshëm se të tjerët, që të gjithë ne jemi të korruptuar/prishur në tërësinë e qenies sonë. Jo vetëm kaq, por jemi skllevër të mëkatit. “Ai që mëkaton është skllav i mëkatit”,10 tha Jezusi.

Kemi edhe një prirje për ta krahasuar veten me të tjerët sepse kë­shtu justifikohemi për të metat tona. Megjithatë po ta kraha­sojmë veten me shenjtërinë e përsosur të Perëndisë dalim që të gjithë të njollosur.




 
Bibla thotë se paga e mëkatit është vdekja. Kjo do të thotë jo vetëm që e meritojmë vdekjen fizike, por edhe që jemi nën zemërimin e plotë të Perëndisë dhe që përjetësia jonë është ferri. Perëndia nuk mund t’i fshijë mëkatet tona poshtë qilimit; Ai duhet t’i ndëshkojë ato me drejtësi­.

Lajmi i mirë është që Perëndia e ka siguruar një zgjidhje për mëkatin tonë. Mirëpo, me qëllim që ne të shpëtohemi nga mëkati ynë, duhet më së pari të pranojmë fajin tonë. Ti duhet ta pranosh që je një mëkatar, i cili meriton dënimin e përjetshëm të Perëndisë.

 
Cila është zgjidhja e Zotit për problemin tonë?

Gjatë gjithë historisë, Perëndia e ka zbuluar qartë se çfarë do të bënte për t’i dhënë zgjidhje problemit të mëkatit. Ai e zbuloi përmes profetëve të Tij se si do të vinte për ta shpëtuar një popull nga çdo komb e fis nga dënimi i mëkateve të tyre. Janë mbi 300 profeci të përmbushura­ nga Jezusi kur ishte në tokë. Jezusi është zgjidhja e Zotit për mëkatin tonë.
 
Perëndia erdhi në tokë! Meqenëse mëkati i njeriut është kaq serioz dhe meriton një dënim kaq të rëndë, zgjidhja e Zotit duhet të jetë e jashtëzakonshme. Lajmi i mirë i Jezu Krishtit është plot e për plot me të vërteta befasuese. E para prej tyre është që Perëndia e përuli veten dhe u bë njeri. Ky është një mister i vërtetë. Si mundet Zoti që të marrë­ trajtë njeriu? Vështirë se mendjet tona mund ta kuptojnë këtë, por ishte absolutisht e nevojshme që Jezusi të zbriste mbi tokë në trajtë njeriu. “Duke qenë se bijtë kanë të përbashkët mishin dhe gjakun po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po këto gjëra që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin.”11 Jezusi, pra, duhej të bëhej njeri që të bëhej njësh me ne dhe të mund të merrte mbi vete dënimin tonë.

 


Perëndia vuajti në vendin tonë! Nëse është tronditës fakti që Perëndia duhet të merrte trajtë njeriu, edhe më shokuese është e vërteta që Ai vdiq për ne. “Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë”, - parashikonte Ligji i Zotit. Nëse paga e mëkatit është vdekja dikush duhet ta pësonte në kurriz­ të vet këtë dënim. Kush mund ta bënte një gjë të tillë? Vetëm një njeri i cili nuk ishte vetë mëkatar. Jezusi ishte i pamëkat gjatë gjithë jetës së Tij. Ai e përmbushi Ligjin e Zotit përsosmërisht dhe pastaj vuajti dënimin­ që ai Ligj parashikonte për mëkatarët. Në kryq, Perëndia derdhi­ mbi Jezusin gjithë zemërimin e Tij ndaj mëkatit, me qëllim që kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.
 
Perëndia fitoi mbi çdo të keqe! Duke jetuar një jetë të përsosur, duke vdekur për mëkatet tona dhe duke u ringjallur së vdekurish në të tretën ditë, Jezusi mundi çdo të keqe. Ai mposhti mëkatin, vdekjen, Satanin dhe çdo ligësi. Jezusi nuk është si të tjerët që pre-tendonin se vinin nga Perëndia. Të gjithë ata vdiqën, kurse Jezusi u ngrit prej së vdekurish dhe u ngjit në qiell. Jezusi, pra, është i vetmi, i cili mund të na shpëtojë nga mëkati dhe pasojat e tij.

Cila është thirrja e Zotit për jetët tona?

Mesazhi i Jezu Krishtit është një lajm i mirë për njerëzimin, por është edhe një thirrje dhe urdhërim hyjnor. Kur Jezusi erdhi në botë ai predikoi:
“Pendohuni dhe besoni në ungjillin.”12 Kur po predikonte në Athinë, apostulli Pal tha: “Perëndia, pra, duke mos vënë re kohërat e padijes, tani i urdhëron të gjithë njerëzit kudo, që të pendohen.”13 Janë, pra, dy përbërës të thirrjes së Zotit: pendimi dhe besimi.

Pendimi i vërtetë është një ndryshim i trefishtë:
është, së pari, një ndryshim në mendjet tona. Ne e kuptojmë në fakt që kemi mëkatuar kundër Zotit. Po, ne kemi kryer mëkate të shumë­ llojshme, por në fund të fundit çdo mëkat drejtohet kundër Zotit. “Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje”,14 i themi Zotit.
Është, së dyti, një ndryshim në zemrat tona. Ne ndjejmë keq­ ardhje për jetën që kemi jetuar pa Perëndinë. Ne dëshirojmë të je-tojmë sipas vullnetit të Zotit dhe jo sipas dëshirave tona. Është, së fundi, një ndryshim në drejtimin e jetës tonë. Ne kthehemi nga rrugët tona të këqija për të bërë atë që Perëndia kërkon prej nesh. Besimi ka dy përbërës. Në radhë të parë pranojmë se ungjilli është e vërteta. Besimi nuk është i verbër. Nuk është sikur të he­ dhësh një hap në errësirë. Është një bindje se gjithçka thotë Perëndia është e vërtetë. Ne duhet të besojmë se Perëndia në Krishtin Jezus u bë njeri, jetoi një jetë të përsosur në tokë, vdiq në kryq që të pësojë dënimin e drejtë për mëkatet tona, si dhe që u ngjall prej së vdekurish të tretën ditë. Duhet të besojmë se Ai do të vijë përsëri që të gjykojë të gjallë e të vdekur. Duhet të besojmë se Jezusi është vetë Perëndia dhe se është Shpëtimtari ynë i vetëm.

 Ne mund t’i besojmë këto gjëra me mendje e të mos jemi ende besimtarë! Bibla thotë se edhe demonët besojnë dhe dridhen, por ata mbeten demonë!
Ne duhet të mbështetemi tek vepra e kryer nga Krishti për ne. Nuk duhet t’i besojmë mirësisë sonë, fesë sonë, veprave tona të mira apo ndonjë gjëje tjetër, por vetëm Krishtit.
Duhet të besojmë­ se Zoti do të na shpëtojë i shtyrë nga mëshira e Tij për shkak të veprës që Krishti ka kryer për ne.

Atëherë, a je gati ta zbatosh urdhërimin e Perëndisë? A do të pendohesh për mëkatin tënd dhe a do të besosh në Krishtin Jezus? Po ta bësh këtë do të shpëtohesh! Bibla na jep premtime të mrekul-lueshme në lidhje me këto gjëra. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them, Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë”,15 - tha Jezusi. “Po ta rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish do të shpëtohesh.”16  A na çojnë të gjitha fetë tek Zoti?  
Lideri indian Mahatma Gandhi tha një herë: “Të gjitha rrugët të cilat të çojnë tek Perëndia janë njëlloj të mira në krahasim me njëra tjetrën.” John Lennon, vokalisti i grupit “The Beatles”, tha: “Unë besoj se çfarë kanë thënë Jezusi dhe Muhamedi dhe Buda është e drejtë­. Vetëm se ata janë përkthyer gabim.” Mendësia shqip­tare është që fetë janë pak a shumë si partitë politike. Zoti është një, dhe e vetmja gjë që ka rëndësi është që të besosh në Të dhe të bësh mirë. Sipas tyre, nuk ka fare rëndësi nëse beson në Islam, Krishterim apo në ndonjë fe tjetër. 



Shqipëria krenohet me harmoninë e saj fetare dhe me respektin e ndërsjellë që kanë njerëzit për njëri tjetrin pavarësisht fesë së tyre. Respekti­ i ndërsjellë mes njerëzve është një nga themelet e një shoqërie, por pyetja që shtrohet është a na çojnë të gjitha fetë në qiell? A mund ta njohësh Zotin siç duhet pa marrë parasysh se çfarë feje ke?

Përfytyro pak sikur po mbytesh në det. Për çfarë ke nevojë në ato çaste? Për njerëz, të cilët qëndrojnë tek bregu duke të të bër-titur këshilla­ se si të notosh, këshilla të cilat për më tepër bien në kundërshtim me njëra tjetrën, apo për një njeri që është i aftë ta çajë me not detin e trazuar për të ardhur deri tek ty me qëllim që të të shpëtojë.

Çdo fe e botës, përveç Krishterimit të Biblës, na mëson se si të “notojmë” apo si të shpëtojmë me forcat tona nga mëkatet dhe fajet tona. Mirëpo, ka dy probleme me këtë gjë. Së pari, të gjitha fetë bien në kundërshtim me njëra tjetrën se si duhet të shkojmë tek Perëndia. Kështu që, të gjitha fetë nuk mund të jenë të gjitha njëherësh të vërteta, sepse ato mësojnë gjëra të kundërta. Së dyti, asnjë prej tyre nuk na ofron një shpëtimtar. Vetëm Jezusi ka vdekur për mëkatet dhe është ringjallur në të tretën ditë. Vetëm Ai mund të na shpëtojë nga fajet tona.

Bibla shprehet qartë për faktin se ekziston vetëm një rrugë, e cila na çon tek Perëndia dhe kjo është përmes Jezu Krishtit. Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” Në Bibël thuhet: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër nën qiell që u është dhënë njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.” Po ashtu thuhet: “Sepse një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus, njeri.”
 
A është Bibla e besueshme?

Bibla është baza e besimit të Krishterë. A mund të besojmë se Bibla me të vërtetë vjen nga Perëndia? Vallë, a mund të ketë pësuar ndryshime Bibla me kalimin e kohës? A mund ta besojmë çfarë na mëson Bibla në një epokë kur shkenca dhe dija kanë përparuar shumë? Besueshmëria e Biblës del në pah në disa aspekte.



Bibla nuk është ndryshuar. Duke krahasuar mijëra dorëshkrime në dispozicion të tyre, historianët bien dakord që 99.99% e tekstit të Biblës është transmetuar me saktësi. Madje edhe ndryshimet e pakta që ka pësuar teksti gjatë historisë kanë të bëjnë me disa fjalë, të cilat nuk ndryshojnë asnjë prej të vërtetave apo parimeve të Biblës. Duke qenë se Bibla është transmetuar besnikërisht për mijëra vjet, mund ta themi me siguri të plotë se ajo nuk është ndryshuar dhe se është Fjala e Perëndisë­.
 
Bibla është një. Edhe pse Bibla e përmban 66 libra, me 40 autorë, të shkruara përgjatë një periudhe 1500-vjeçare dhe në tre kontinente të ndryshme, mesazhi i saj është përherë i njëjtë. Bibla nuk bie në kundërshtim me veten dhe ekziston një harmoni e mreku­ llueshme në mes të gjitha pjesëve të saj.
  Bibla është e ndershme. Një nga cilësitë e Biblës është që ajo kurrë nuk i mbulon fajet dhe dobësitë e autorëve dhe heronjve të saj. Nëse Bibla nuk do ishte e vërtetë do të prisnim që autorët të mbulonin fajet e personazheve kryesore, por në çdo rast ndodh pikërisht e kundërta. Bibla është jashtëzakonisht e ndershme për sa i përket gabimeve të njerëzve besimtarë.
Arkeologjia del në mbështetje të Biblës. Çdo zbulim arkeologjik që është bërë deri më sot vetëm vërteton se gjërat që shkruhen në Bibël kanë ndodhur me të vërtetë. Bibla nuk hidhet poshtë nga historia dhe asnjë fakt shkencor nuk bie në kundërshtim me Biblën.
 
Bibla vërtetohet nga jetët e ndryshuara prej saj. Bibla jo vetëm që gjen mbështetje në faktet objektive, por edhe vërtetohet nga përvoja e njerëzve. Themelet e shoqërive perëndimore janë hedhur duke pasur për udhërrëfyes Biblën. Ajo ka frymëzuar shumë prej kushtetutave, ligjeve dhe praktikave që ne admirojmë. Ajo ka transformuar jetën e kombeve dhe madje edhe të kontinenteve të tëra gjatë historisë. Mbi të gjitha Bibla ka ndryshuar jetë të panumërta njerëzish për mirë dhe kjo është e pamohueshme.

Nëse Bibla është jetëndryshuese dhe shpall se është Fjala e Perëndisë, atëherë pse nuk e lexon vetë atë dhe kështu ke për të zbuluar visaret e të vërtetave që fshihen brenda saj?




Referencat e vargjeve biblike

1.
Psalmi 19:1
9. Romakëve 3:23
2.
Romakëve 1:20
10. Gjoni 8:34
3.
Gjoni 14:9
11. Hebrenjve 2:14-15
4.
1 e Gjonit 1:5
12. Marku 1:15
5.
Habakuku 1:13
13. Veprat 17:30
6.
Hebrenjve 12:29
14. Psalmi 51:4
7.
Eksodi 34:7
15. Gjoni 5:24
8.
Romakëve 1:18
16. Romakëve 10:9

No comments:

Post a Comment

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.